Serbia e dorëzon në Kosovë trupin e pajetë të Faton Hajrizit.    /Foto: MPJD/Facebook

Është kthyer në Kosovë trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë më 19 korrik 2024.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës bëri të ditur se trupi i pajetë tashmë ka mbërritur nga Serbia në Kosovë.

“Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Një ditë më herët, ministria kosovare njoftoi se Prokuroria e Qarkut të Beogradit kishte dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë. Ky institucion tha se avokati Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi dhe ambasadori Jetish Jashari po kryenin procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.

Avokati Arianit Koci e kishte parë fillimisht kufomën për të cilën tha se është konfirmuar që është Faton Hajrizi, pas analizimit të materialit të marrë nga strishoja e nënës së Faton Hajrizit.

Më 23 korrik, avokati Arianit Koci u autorizua nga familja Hajrizi për t’u angazhuar në procedurat e tërheqjes së trupit nga Serbia.

Faton Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik, derisa ishte i arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik dhe u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

TRT Balkan / agjencitë