"Serbia ka bërë çmos për të bllokuar dhe kthyer prapa njohjen e Kosovës". / Foto: AA

Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë është mbajtur diskutim me temën "E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe ShBA".

Në këtë diskutim ku morën pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, profesori i universitetit "Johns Hopkins", Daniel Serwer, aktivistja për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe të tjerë u vu në pah ngecja në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin "Johns Hopkins", tha se për Ballkanin dhe Kosovën më mirë do të ishte që në krye të SHBA-së të mbetej presidenti aktual, Joe Biden, sesa të rikthehet ish-presidenti Donald Trump. Sipas tij, nga viti 2013 është bërë vetëm pak progres në implementimin e marrëveshjeve teknike midis Kosovës dhe Serbisë, por është shënuar regres në dialogun politik drejt normalizimit të marrëdhënieve.

"Serbia ka bërë çmos për të bllokuar dhe kthyer prapa njohjen e Kosovës dhe po ashtu edhe bllokimin e saj në Këshillin e Evropës. Prishtina në anën tjetër nuk ka bërë asgjë për implementimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumcië serbe", theksoi Serwer.

Ai tha se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi amerikan i këtij dialogu, Gabriel Escobar, në tre vitet e fundit i bënë presion Kosovës ta formojë asociacionin në mënyrë të njëanshme, por pa presion të ngjashëm për kryerjen e obligimeve nga Serbia.

Aktivistja për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko tha se Serbia ka shënuar regres demokratik në 10 vitet e fundit me institucione të kapura, derisa Kosova ka shënuar progres demokratik.

Biserko thotë se përderisa Serbia të vazhdojë me qëllimet e saj për territore, vihet në pikëpyetje edhe politika e saj e integrimit evropian sepse "ky është problem evropian jo vetëm problem rajonal". "Gjëja e dytë që dua të përmend e cila po ndikon në sjelljen e Serbisë, është infiltrimi i Rusisë, jo vetëm nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë por shumë më herët, sidomos me aneksimin e Krimesë në 2013", theksoi ajo.

Biserko tha se ndasia etnike ka dëshmuar mosfunksionalitet në Bosnjë e Hercegovinë dhe për këtë arsye e kundërshton argumentin e Serbisë që e ka prioritet themelimin e Asociacionit në dialog. Sipas saj, Bashkimi Evropian ka pasur qasje shumë paqësore me Serbinë dhe në të ardhmen kjo qasje duhet të jetë më ndryshe.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i nisur në vitin 2011, sipas palës ndërkombëtare duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë të pavarësisë ndërmjet dy vendeve fqinje. Së fundmi ky proces ngeci pas sulmeve që ndodhën nga një grup i armatosur në Basnjkë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sot në Bruksel është hera e parë që pas këtyre sulmeve do të takohen në kuadër të dialogut kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

TRT Balkan / agjencitë