ShBA-ja pranoi kërkesën e Kosovës për blerjen e antitankeve ‘Javelin’       / Foto: AA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë pranuar kërkesën që e ka bërë Kosova për blerjen e raketave antitank “Javelin”, sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Christofer Hill.

Sipas njoftimit të bërë nga Zyra e Presidentit të Serbisë, ambasadori Hill këtë ia ka bërë të ditur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në një takim në Beograd ku është diskutuar për përmirësimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike amerikano-serbe.

“Ambasadori Hill e njoftoi presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për pranimin e kërkesës së Prishtinës për blerjen e raketave antitank Javelin. Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t'ia dërgojë kërkesën e Prishtinës Kongresit Amerikan, i cili fillon procedurën zyrtare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Tutje, bëhet e ditur se presidenti Vuçiq konsideroi se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se vendi tij së bashku me ShBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, ka thënë Vuçiq.

Po ashtu, Vuçiq dhe ambasadori Hill, sipas njoftimit, kanë diskutuar edhe situatën në Kosovë, vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe pozicionin ndërkombëtar të Serbisë.

TRT Balkan / agjencitë