ShBA-ja shprehu shqetësimin e thellë të dielën për situatën në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për depërshkallëzimin e situatës.
Duke lëshuar një deklaratë të përbashkët, ambasadat amerikane në Beograd dhe në Prishtinë kërkuan heqjen e menjëhershme të bllokadave në rrugët në veri dhe ndalimin e frikësimit dhe kërcënimeve me dhunë.
“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, si dhe kërcënime dhe frikësime kundër autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet në një deklaratë.
“Ne dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare... U bëjmë thirrje të gjithëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të arritur një depërshkallëzim të situatës”, thuhet në deklaratë.
Protestuesit nga minoriteti serb i Kosovës bllokuan rrugët të dielën për të dytën ditë, të zemëruar nga arrestimi i një ish-oficeri policie të etnisë serbe, i dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj policisë së Kosovës.
“Ata që kanë ngritur postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim t’u jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit,” thuhet në të.
EULEX, misioni i Bashkimit Evropian i ngarkuar me patrullimin e veriut të Kosovës, tha se një shok-bombë u hodh në një nga automjetet e blinduara të saj të shtunën mbrëma.
Ndërkohë, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shprehu mbështetjen për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Kështu janë edhe sulmet e fundit ndaj Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, tha Baerbock.
Heqjen e barrikadave kanë kërkuar edhe ambasadat e Britanisë së Madhe në Beograd dhe në Prishtinë, duke theksuar se arrestimi nuk është justifikim për barrikadat.
Kosova, e banuar kryesisht nga shqiptarë, u shkëput nga Serbia në vitin 1999 dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008. Por, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë dhe e sheh krahinën e saj të mëparshme si pjesë të territorit të saj.
Tensionet midis dy vendeve u ndezën muajin e kaluar kur Kosova u përpoq t’u kërkonte serbëve etnikë të ndryshonin targat e tyre të vjetra të automjeteve, të cilat datojnë para vitit 1999. Vendimi bëri që serbët etnikë në Kosovë të tërhiqen nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale.
Zgjedhjet e parakohshme u shpallën në katër komuna veriore më 18 dhjetor pasi përfaqësuesit etnikë serbë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre.
Por, Kosova i ka shtyrë zgjedhjet për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe votimi tani do të mbahet në prill.
Në fillim të javës, disa qendra zgjedhore u dëmtuan dhe në ato zona u dëgjuan të shtëna, duke rritur frikën e përshkallëzimit.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha të shtunën se Beogradi do t’i kërkojë zyrtarisht misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që të vendosë trupa serbe atje.
12 Dhj 2022
ShBA-ja shpreh shqetësim të thellë për situatën në Veri të Kosovës
“Ne presim që t’u jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave amerikane në Beograd dhe Prishtinë.
AA
Lajme të ngjashme
Kosova: KE-ja arriti pajtim për mandatin negociues për udhëtimin pa viza
Kosova sipas KE-së ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtatlidhur me lirin e lëvizjes.
Borxhi i jashtëm: Kosova më së miri, keq në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut
Borxhi i jashtëm i Malit të Zi e kalon, ndërsa i Maqedonisë së Veriut i afrohet nivelit kritik prej 60% në raport me Prodhimin Bruto Vendor, pa përfshirë borxhin e brendshëm. Kosova, nga ana tjetër, ka më së paku borxhe në rajon.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore