Me rastin e 1 Majit, Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë ka organizuar një tubim paqësor në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve të çdo sektori në Shqipëri.
Tubimi me moton "Dinjitet për punëtorët-Nuk ka demokraci pa sindikata", është mbajtur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
"Në një realitet kur gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga vendi, fuqia punëtore është në rënie e kapitali njerëzor mungon, ka shumë për të folur e dëgjuar nga sindikatat e nga punëtorët", u theksua nga organizatorët e tubimit.
Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBAShK) mbështetur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kanë kërkuar të ndërmerren veprime nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që “të mos futen në greva disamujorëshe”.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kërkoi nga Qeveria përmbushjen e kërkesave të tyre, në mënyrë që ata t’i parandalojnë veprimet e tjera sindikale.
"Kemi menduar se liria do të na sjellë rrugëtim të qetë, kemi menduar se shkollat tona do të jenë sikurse ato të vendeve të Evropës. Kemi menduar se figura e mësuesit do të ruhet", theksoi Jasharaj.
"Kërkojmë të ngrihet vlera e koeficientit", "Duam dialog social", "Qeveri respekto pensionistët", janë disa nga mesazhet që përçuan pjesëmarrësit në këtë protestë e cila filloi nga Biblioteka Kombëtare në Ministrinë e Arsimit e më pas pranë Qeverisë së Kosovës.
Paralelisht, edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), të shoqëruar nga qindra punëtorë, dolën për të protestuar nëpër rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut me rastin e 1 Majit.
Marshi protestues me moton “Ne, punëtorët” filloi para Shtëpisë së Punëtorëve, vazhdoi para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe përfundoi para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Organizatorët ndër të tjerash theksuan se kërkojnë rritje të pagave në sektorin privat dhe publik, si dhe pagesën e shpenzimeve të transportit dhe të ushqimit.
Ata kritikuan gjithashtu vendimin e vitit të kaluar për t'u dhënë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar një rritje prej 78 për qind të pagave.
Ndër të tjerash, demonstruesit marshuan duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Sot je zyrtar, nesër jo”, “Kërkojmë rrogë sa jotja”, “A nuk ju vjen turp”.
Marshet protestuese përfunduan të qeta dhe pa incidente.