Shkollat Maarif në Shqipëri shënuan Ditën e Mësuesit në Türkiye.      Foto: AA

Shkollat e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, në bashkëpunim me Zyrën e Këshilltarit të Arsimit në Ambasadën turke në Tiranë dhe me Institutin "Yunus Emre” - Tiranë, kanë organizuar aktivitet për Ditën e Mësuesit, që shënohet në Türkiye më 24 nëntor.

Në një njoftim nga zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, thuhet se pjesë e programit ishin ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, këshilltar i arsimit pranë Ambasadës turke në Tiranë, Metin Bulut, zyrtarë të tjerë, mësues, nxënës dhe prindër.

Ambasadori Atay, Özbaysar, Sakoğlu dhe Bulut përshëndetën të pranishmit në aktivitetin e organizuar në ambientet e kampusit të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, duke uruar mësuesit për 24 Nëntorin.

Mësuesi Özgür Tekeoğlu mbajti një fjalim në emër të mësuesve të Ministrisë së Arsimit Kombëtar të Türkiyes.

Pjesë e programit ishte dhe një program artistik me muzikë dhe këngë turke dhe shqiptare, interpretuar nga nxënës të shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri.

Në Türkiye 24 nëntori shënohet si Dita Kombëtare e Mësuesit, ku brenda dhe jashtë vendit organizohen aktivitete të ndryshme.

TRT Balkan / agjencitë