Në Ditën ndërkombëtare të kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, në Shtëpinë e Gazetarëve (Reportin House) në Prishtinë, janë shpalosur artefakte të viktimave të këtij gjenocidi.
Një palë syze të thyera dhe një orë të cilat arritën në Kosovë, u shfaqën në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në qendër të Prishtinës.
Në ceremoninë e shpalosjes së artefakteve morën pjesë Mensur Bektiq, përfaqësues i familjarëve boshnjakë të vrarë në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre e Kosovës.
Bektiq në fjalën e tij tha se 11 korriku është ditë e pikëllimit për ta.
“Nëse vini në Srebrenicë dhe rrini me nënat e Srebrenicës që kanë mbetur gjallë, gjithë çfarë do të dëgjoni është ofshamë, pikëllim, por, asnjëra nuk kërkon hakmarrje dhe asnjëra nuk thotë ‘hajde tani, hakmeruni, vritni serbët’. Ata i edukojnë fëmijët e vet me tolerancë”, theksoi Bektiq.
Artefaktet u shpalosën në Prishtinë të kuara nga Gazmend Ejupi dhe si bashkëpunim i BIRN-it Bosnjë e Hercegovina me Prishtina Bienale.
Artefaktet i përkisnin viktimës së gjenocidit Reshit Fazliq, një mësuesi të anglishtes, ndërsa ato u ruajtën nga viti 1995 deri në ditët e sotme, nga bija e tij, Amra Begiq.