Një shpërthim ka ndodhur sot në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Si pasojë e shpërthimit, gjashtë vetura janë dëmtuar, ndërsa nuk raportohet për ndonjë person të lënduar.
Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 07:00 është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, theksoi Borovci.
Sipas tij, rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore.
“Përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje, ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.
Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, shtoi ai.