Shpërthim në veri të Mitrovicës, dy të lënduar.     /Foto: KosovaPress

Dy persona kanë pësuar lëndime dhe disa automjete janë dëmtuar nga një shpërthim i fuqishëm që ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës në veri të Mitrovicës.

Dyshohet se persona deri tash të panjohur kanë hedhur granatë dore afër motelit "Bishevac" në veri të Mitrovicës, ndërsa nuk dihet motivi i këtij incidenti.

“Rreth orës 23:50 dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore tek Hoteli Bisevac, rruga Knjaz Millosh në Mitrovicë Veri, ku si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar rreth 4-5 vetura dhe dy persona janë lënduar. Njëri ka lëndime më të rënda dhe policia është në spital”, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Policia ka dalë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet. Nga pamjet e publikuara nga mediat lokale serbe, shihet se në vendin e ngjarjes, përveç Policisë së Kosovës, janë parë edhe pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it.

Arsyet se përse ka ndodhur ky shpërthim ende nuk dihen.

TRT Balkan / agjencitë