Në Tiranë është mbajtur Ministeriali i Mbrojtjes për Evropën Juglindore (South East Defence Ministerial - SEDM), duke mbledhur së bashku zyrtarë të lartë nga disa vende.
Në ministerialin ku ishin të pranishëm përfaqësues të ministrive të mbrojtjes dhe institucioneve të tjera, Türkiye u përfaqësua nga Gjeneral Brigade Soner Oruçoğlu.
I pranishëm në këtë ministerial, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, u shpreh gjatë fjalës së tij se në këto kohë të vështira për paqen dhe stabilitetin global, është pa dyshim një mundësi për të përçuar mesazhin e qartë se "ne qëndrojmë bashkë dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin për t’u bërë ballë rreziqeve dhe sfidave të shumëfishta, konvencionale ashtu edhe ato hibride, me të cilat po përballemi".
"Ministeriali i SEDM-së rikthehet në Tiranë, në një proces ku ka nisur në fakt 28 vjet më parë dhe besoj se pavarësisht dinamikave dhe zhvillimeve në mjedisin gjeopolitik dhe atë strategjik të sigurisë ndër vite, objektivat dhe arsyet e themelimit të kësaj iniciative mbeten ende relevante, konkretisht bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë, rritja e kapaciteteve të mbrojtjes dhe integrimi në strukturat euroatlantike qëndrojnë padyshim të vlefshme edhe sot. Për Shqipërinë ky bashkëpunim qëndron një busull orientuese drejt një familje demokratike me vlera të shëndosha", tha Vengu, sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.
Sipas ministrit Vengu, Shqipëria këtë vit është kthyer në një nyjë të bashkëpunimit, të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale.
"Është fakt se kthjelltësia dhe angazhimi ynë politik është institucional dhe ushtarak në mbështetje të agjendës së NATO-s dhe BE-së, nuk mund të vendoset në dyshim, veçanërisht për të rritur qëndrueshmërinë kombëtare, forcuar mbrojtjen kolektive dhe frenuar ambiciet e aktorëve të tretë, të cilët vazhdojnë në mënyrë brutale dhe veçanërisht, Rusia ndaj Ukrainës dhe popullit të saj të pafajshëm", është shprehur ministri Vengu.
Ministeriali mblodhi përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Türkiye, Mali e Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania, Greqia, si dhe nga Italia, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas autoriteteve shqiptare, qëllimi i ministerialit është promovimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimi i aftësive rajonale të mbrojtjes, bashkëpunimi përmes përpjekjeve kolektive si dhe krijimi i lidhjeve që lehtësojnë integrimin në institucionet euroatlantike.