Në aktivitetin e organizuar në ambientet e kampusit të shkollës Maarif në Elbasan ishin të pranishëm drejtues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve shqiptare, mësues dhe nxënës.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, u shpreh se 19 maji është një datë shumë e rëndësishme për turqit, pasi sipas tij është fillimi i luftës për pavarësi dhe liri në Türkiye.
"Është një kënaqësi e veçantë që sot po festojmë gjithë së bashku këtu me miqtë tanë shqiptarë. Kjo festë në fakt simbolizon dhe identifikon luftën tonë për pavarësi, si dhe të rinjtë tanë. E ardhmja e Shqipërisë, ashtu si ajo e Türkiyes, u është besuar të rinjve", u shpreh Atay.
Ambasadori turk theksoi se të rinjtë shqiptarë janë duke u përgatitur për një të ardhme më të mirë, duke marrë arsimim cilësor dhe modern në shkollat e Fondacionit Maarif.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, tha se nga shkolla e Fondacionit Maarif në Elbasan janë bërë investime për të përmirësuar cilësinë e arsimit.
"Këto ngjarje na lejojnë të festojmë zërat, veprimet dhe iniciativat e të rinjve, si dhe të njohim angazhimin dhe kontributin e tyre në çështje si bashkëjetesa, zhvillimi, angazhimi qytetar, paqja dhe siguria, mbrojtja e mjedisit, çrrënjosja e varfërisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm", u shpreh Llatja.
Kryebashkiaku Llatja theksoi se nuk e harrojnë ndihmën që ka dhënë shteti turk nëpërmjet TIKA-s për investimin që është bërë në konviktin e Universitetin e Elbasanit (Universiteti "Aleksandër Xhuvani").
Drejtori i kampusit të shkollës Maarif në Elbasan, Zeki Uysal, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Fondacioni Maarif është një nga pesë zinxhirët e shkollave më të mëdha në botë, shtrirë në 6 kontinente, duke përfshirë 52 shtete me 467 institucione arsimore dhe gati 53.000 nxënës.
"Qëllimi ynë kryesor është të edukojmë njerëz të mirë që do të përdorin dijen dhe aftësitë e tyre për të mirën e njerëzimit në mbarë botën. Me këtë synim, në Shqipëri ne vazhdojmë aktivitetet arsimore me më shumë se 2.000 nxënës në 4 kampuse dhe 1 universitet", tha Uysal.
Uysal u shpreh se gjithashtu kanë synuar të kontribuojnë që të rinjtë në Shqipëri të jenë gjithmonë aktivë dhe të shëndetshëm, duke sjellë në vend festimet për Ditën e Rinisë dhe Sportit.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe një program artistik me këngë, valle, recitim të poezive dhe gara sportive, përgatitur nga nxënësit e shkollave të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri.