Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur edhe një herë lidhur me deklaratën e tij dhënë ditë më parë që Serbia po trajnon grupe për ndonjë sulm të mundshëm në Kosovë.
Konjufca tha se këtë nuk e ka bërë për t’i frikësuar qytetarët e Kosovës, por për t’iu treguar bashkësisë ndërkombëtare për aktivitetet serbe.
Sipas Glauk Konjufcës, Kosova është shumë e sigurt, ndërsa derisa foli për bashkësinë ndërkombëtare, deklaroi se edhe këta të fundit e dinë që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Por, shtoi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e gatshme për t’iu përgjigjur çfarëdo sfide të sigurisë.
Që ka grupe që kanë synim destabizilim e Kosovës, Konjufca ka thënë se ekzistojnë dhe se të njëjtat janë të strehuara në Serbi, por sa i përket situatës brenda Kosovës gjithçka është në kontroll.
Kryekuvendari Glauk Konjufca ka komentuar edhe deklaratën e ndihmës Sekretarit, James O’Brien, i cili ka thënë se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj si çdo vend tjetër, duke thënë se kjo është ajo që janë munduar ta shpjegojnë gjithmonë.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosvës, Glauk Konjufca ditë më parë deklaroi se Serbia duhet të shihet rrezik jo vetëm në Kosovë, por për krejt stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.