Ka përfunduar edhe një raund negociatash mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, por pa ndonjë rezultat.
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi takimin e sotëm në Bruksel e ka quajtur “takim i kotë” derisa fajësoi palën serbe që sipas tij nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
“Ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i parezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serbë të trajtohen”, tha Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje.
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve. Nëse ata do të donin të gjenin zgjidhje brenda, siç thonë ata, kornizës së tyre rregullatore, ne mund të kishim gjetur një zgjidhje në takimin e kaluar ku treguam konstruktivitetin tonë. Prishtina erdhi me konstruktivitet zero, që çoi në faktin se sot nuk mund të pajtoheshim për asgjë”, tha kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.
Palët pritet të ulen sërish javën e ardhshme në përpjekje për të tejkaluar dallimet.