Skadoi afati, s’lejohen më targa ilegale në Kosovë      / Foto: AA

Në ditën kur tashmë është e ndaluar qarkullimi me vetura me targa ilegale, situata në veriun e Kosovës është e qetë dhe pa incidente të shënuara deri më tani.

Më 15 dhjetor ishte dita e fundit për pronarët e mjeteve të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, të cilat qarkullonin kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe në Kosovë, t’i kthejnë targat në “RKS”.

Veturat me targat ilegale tashmë nuk mund të qarkullojnë në Republikën e Kosovës dhe të tillat as nuk mund të hyjnë në territorin kosovar.

Në këtë pjesë të vendit lehtësisht mund të vihen re po ashtu vetura me targa të lëshuara nga Serbia, si “BG” (Beograd), “NP” (Novi Pazar), “KG” (Kragujevac), “LE” (Leskovac) dhe të tjera, të cilat lejohen të qarkullojnë në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, tha për Anadolu se procesi i regjistrimit të automjeteve me targa ilegale ka shkuar mirë dhe në veri situata është e qetë aktualisht.

“Deri më tani janë regjistruar 3.400 vetura. Ndërkohë që në afatin e mëhershëm janë regjistruar 800, të gjitha janë 4.200. Dita e sotme është e qetë dhe nuk është regjistruar asnjë incident”, theksoi Elshani.

Ai bëri të ditur detaje edhe rreth fillimit të procedurave ndëshkuese për ata të cilët tani e tutje vozisin vetura me targa ilegale.

“Herën e parë policia vetëm e paralajmëron shoferin nëse është duke vozitur mjet të paregjistruar, herën e dytë gjobitet me 150 euro dhe i hiqet patenta, ndërsa shoferi duhet ta heqë mjetin nga qarkullimi. Nëse i njëjti shofer ndalohet për herë të tretë, automjeti do të konfiskohet dhe do të dërgohet në doganë”, theksoi Elshani.

Shifra për numrin e saktë të veturave me targa ilegale nuk ka, por është llogaritur viteve paraprake se ato ishin rreth 10 mijë.

Në veriun e Kosovës, situatën e sigurisë përpos Policisë së Kosovës po e monitorojnë edhe dy misionet e huaja, Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR si dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.

Çështja e targave ka shkaktuar disa herë me radhë kriza në veri.

Më 31 korrik 2022 u ngritën barrikada në rrugët kryesore të komunave veriore me shumicë serbe, ndërsa në nëntor 2022 serbët u larguan nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës për shkak të suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut Nenad Gjuriq, i cili nuk pranoi të zbatonte vendimin e Qeverisë për riregjistrimin e automjeteve në “RKS”.

AA