Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se shpresojnë se viti 2024 do të sjellë energji të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në konferencë për media në Bruksel, duke komentuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano tha se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për tabelat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.
Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht tabelat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari 2024 vendosjen e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në tabela kur automjetet lëviznin në territoret e njëra-tjetrës.
“Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së tabelave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për tabelat”, tha Stano.
Ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.
“Ne kemi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe shumë herë ua kemi shpjeguar partnerëve tanë pse ky dokument është detyrues. Vendet anëtare, institucionet e BE-së dhe partnerët tanë, veçanërisht ShBA-ja, po monitorojnë rrjedhën e ngjarjeve. Ne e rrisim ose e ulim pjesëmarrjen në përputhje me rrethanat, por ky është një vit i ri. Viti i ri sjell gjithmonë mundësi për shpresë, punë të palodhur, energji të re. Shpresojmë që me këtë shpresë të re dhe energji të re, të dyja palët të fillojnë të punojnë shumë për të arritur përfundimisht. Sepse, ata po e bëjnë këtë për qytetarët e tyre, jo për ne në Bruksel”, tha Stano.
Pyetjes se kur do të hiqen masat ndëshkuese të vendosura ndaj vendit nga BE-ja pas tensioneve në veri të Kosovës vitin e kaluar, Stano tha se BE-ja do t'i rishqyrtojë masat ndaj Kosovës dhe përfundimisht do t'i heqë ato kur të ndërmerren hapa të mjaftueshëm pozitivë.
Komuniteti ndërkombëtar ka deklaruar vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa Kosovës i është kërkuar edhe që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.