Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga retorika dhe veprimet nxitëse që mund të përshkallëzojnë tensionet në rajon si dhe të fokusohen në procesin e tyre të dialogut.
Stoltenberg duke folur para gazetarëve në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel tha se janë parë tensione në rritje në muajt e fundit në Kosovë.
"Kemi parë tensione në rritje në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor në muajt e fundit. Unë isha për vizitë në rajon para Krishtlindjeve. Mesazhi im kryesor ishte se palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe veprimet që mund të shkaktojnë rritje tensionesh në rajon", tha Stoltenberg.
Kur është fjala për Kosovën, Stoltenberg tha se rruga e saj përpara është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, gjë për të cilën tha se "inkurajoj Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen me besim të mirë". Ai theksoi po ashtu se pas sulmeve dhe dhunës së vitit të kaluar në Banjska të Zveçanit, aleatët e NATO-s kanë rritur praninë e tyre në këtë vend.
"Misioni i KFOR-it është atje për të ofruar një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet. Kemi dërguar përafërsisht 1 mijë trupa shtesë për të siguruar një gjë të tillë dhe do të vazhdojmë në mënyrë që të jemi në gjendje të zbatojmë mandatin tonë nga OKB-ja", ka thënë shefi i NATO-s.
Së fundmi, institucioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka miratuar një rregullore të re e cila e pranon vetëm valutën e euros si valutë të vlefshme për operim, gjë e cila ka ngjallur reagim nga serbët lokalë, por edhe nga Beogradi zyrtar.
Për çështjen e dinarit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq u përballen edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), ku Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa, ndërsa presidenti serb tha se me ndalimin e dinarit në Kosovë, pamundësohet funksionimi i institucioneve kyç për serbët.