Sveçla: Nëse Vuçiq futet pa leje në Kosovë do të arrestohet.     /Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në rast se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, futet në territorin e Kosovës pa leje paraprake nga autoritetet kosovare, ai do të arrestohet. Në një intervistë për një televizion kosovar Sveçla tha se që Vuçiq ta vizitojë Kosovën ka dy rrugë, ajo legale e cila kërkon leje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ose ajo ilegale pa leje e cila do ta çonte presidentin Vuçiq në arrestim nga Policia e Kosovës.

“Për me leje, te kryeministri, për pa leje tek unë, kaq”, ka deklaruar Sveçla.

“Është çështje vendimmarrëse e kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje ose jo Vuçiqit. Për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të”, shtoi ai, duke thënë tutje se “nëse futet në Kosovë... pa asnjë dyshim”.

“Si po mendoni ju që dikush, një shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës”, tha Sveçla.

Ministri kosovar tha po ashtu se “nuk ke shtet nëse kreu i një shteti tjetër futet pa leje në territorin tënd”.

Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar gjatë muajit mars të këtij viti se shpreson që deri në fund të vitit 2023 të mund ta vizitojë Kosovën.

Më 29 qershor të këtij viti, gjatë festës së komunitetit serb në Kosovë “Vidovdanit”, kishte hyrë në territorin kosovar i biri i presidentit Vuçiq, Danillo Vuçiq.

Ministri Sveçla deklaroi se hyrja e djalit të presidentit Vuçiq në Kosovë ka qenë si qytetar i rëndomtë dhe tha se për hyrje të tilla nuk aplikohen procedura të veçanta.

TRT Balkan / agjencitë