Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia ka shkelur dakordimin e arritur në nëntor të vitit 2022 në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.
Sveçla në rrjetet sociale tha se Serbia është pajtuar në bazë të kësaj marrëveshjeje që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe riregjistrimin e atyre ekzistuese, por shtoi se Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale "KM", të riregjistruara në muajin dhjetor 2022.
Ministri kosovar tha se duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi dakordimin e Brukselit, ndërsa në respektim të legjislacionit kosovar dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e veturave me targa të tilla në territorin kosovar.
“Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë nuk do të lejohen të hyjnë a të veprojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo riregjistrimin e tyre”, theksoi Sveçla.
Sveçla ftoi qytetarët të cilët janë pronarë të veturave të tilla që të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.
Çështja e targave ilegale të lëshuara nga koha e ish-Jugosllavisë ngriti tensionet në gjysmën e dytë të vitit 2022, ku në dhjetor në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe u vendosën edhe barrikada duke bllokuar lëvizjen e lirë në rrugët që çonin në dy pika kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.
Madje, për shkak të targave, serbët në Kosovë hoqën dorë nga pozitat në institucionet kosovare, përfshirë zyrtarë qeveritarë, deputetë, zyrtarë policorë, gjyqtarë e prokurorë si dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe, në të cilat do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në prill të vitit 2023.