Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt shtetit të Tajvanit nga 1 dhjetori 2024.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, zv/ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, bëri të ditur se lëvizja e lirë drejt Tajvanit vlen për të gjithë shtetasit e Kosovës me pasaporta të rregullta, diplomatike apo zyrtare.
“Kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”, shkroi Ahmeti.
Ai tha se kjo mundësi e re për lëvizje të lirë me Tajvanin hap rrugën për partneritete ekonomike, shkëmbime arsimore dhe bashkëpunim kulturor midis dy shoqërive.
Tajvani përbëhet nga 168 ishuj. Ai është një shtet në Azinë lindore, i ndodhur në kryqëzimin e deteve të Kinës lindore dhe jugore në Oqeanin Paqësor, me Republikën Popullore të Kinës në veriperëndim, Japoninë në verilindje dhe Filipinet në jug.