Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe të Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.
Në njoftim thuhet se gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me rregulloren.
Guvernatori i Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, të kryesuar nga Mirosllav Lajçak.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me rregulloren që parasheh euron valutën e vetme si mjet pagese në Kosovë.
“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim, as u kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Me tutje, BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të lehtësuar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.
“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.
Petkoviq: Beogradi tregoi vendosmëri të plotë, zgjidhja duhet gjetur në nivel politik
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha sot se delegacioni i Beogradit ka treguar përkushtim të plotë për zgjidhjen e problemit dhe se duhet gjetur zgjidhje për pagesën e dinarit, por se takimi në Bruksel ka treguar se vendimi për të ashtuquajturën BQK-ja nënkupton zgjidhje në nivel politik.
Pas takimeve në Bruksel, ai u tha gazetarëve se fakti që ndodhet në Bruksel, ndryshe nga kryenegociatori i Prishtinës, Besnik Bislimi, tregon vendosmërinë e Beogradit për zgjidhjen e problemeve me dialog, për dallim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili sjell masa përshkallëzuese me qëllim të dëbimit të serbëve nga Kosova.
“Duhet një nivel politik për zgjidhje, Bislimi nuk mund ta bëjë atë që bëri, të mos vijë në Bruksel, por të dërgojë njerëz nga Banka Qendrore e Kosovës që të vendosin për diçka për të cilën thonë vetë ata nuk kanë mandat”, u tha Petkoviq gazetarëve pas takimit në Bruksel.
Lajçak: Shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Bruksel, për dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajçak, pas takimit me palët shkroi se takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje.
“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga Rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkruan Laçak në platformën X.