Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe takimi i sontëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përfunduar pa ndonjë dakordim rreth çështjes së draft-statutit të Asociacionit.
Kurti: Draft-statuti i Asociacionit i prezantuar i papranueshëm për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka prezantuar sot në Bruksel një draft-vizion për rregullimin e komunitetit serb në Kosovë.
Pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Kurti tha se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar sot ishte fundametalisht i papranueshëm për Kosovën.
Ai tha se ky draft dëshmon dëshirën për "Republika Sërpska" në Kosovë.
"Një draft-statut i tillë çfarë lexuam është fundamentalisht i papranueshëm me kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë dhe të drejtat në Kosovë. Përkundër kësaj, ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe përkitazi me këtë unë kam prezantuar një draft-vizion se çfarë do të ishte korniza që rregullon të drejtat e pakicave në Kosovë", tha ai.
Vuçiq: Kurti nuk e pranoi draft-statutin e Asociacionit
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga ekipi menaxhues.
Pas takimit me Kurtin në Bruksel, Vuçiq para gazetarëve tha se për palën kosovare draft-statuti ka qenë i papranueshëm.
“Për ta është e papranueshme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën, sepse ata nuk dëshirojnë një Republikë Serbe, edhe pse, sipas të gjitha pikave të statutit, kërkohet qartë në bazë të marrëveshjeve të mëhershme dhe pikave të marrëveshjes së 2015-shit. S’ka asnjë pikë që nuk është nënshkruar dhe marrë vesh më parë.”, tha ai.
Borrell: Këndvështrimet e palëve janë të largëta mes njëra-tjetrës për Asociacionin
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar sot në Bruksel nuk është final, por vetëm do të shërbejë si pikë fillestare për negociata të mëtejshme.
Pas takimit Kurti-Vuçiq, Borrell në konferencë për medie tha se palët janë me qëndrime të ndryshme për Asociacionin.
"Palët kanë ndërmarrë një hap drejt themelimit të Asociacionit, marrëveshje kjo e dakorduar para 10 vitesh. Është prezantuar drafti i parë i cili nuk është final, por është si pikë fillestare. Këndvështrimet e palëve janë të largëta mes njëra-tjetrës për Asociacionin", tha ai.
Ndryshe, sot në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot në Bruksel kanë rikonfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur, për t’i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme.