Sulmi i Iranit ndaj Izraelit dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale ishte temë qendrore e Këshillit të Sigurisë së Kosovës mbrëmë që është zhvilluar në Prishtinë me ftesë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës ka dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar si akt të paprecedentë që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë. Nga qeveria e Kosovës theksojnë se me dronët Shaheed, me të cilët Irani sulmoi Izraelin, kërcënohet edhe Kosova, por nga shteti i Serbisë.
“Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaq sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë. Institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, si dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë”, thuhet në njofitmin e Qeverisë së Kosovës.