Tetë kandidatë për zgjedhjet presidenciale në Kroaci            / Foto: AA

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 29 dhjetor në Kroaci do të garojnë 8 kandidatë.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (DIP) i Kroacisë bëri një deklaratë lidhur me zgjedhjet e 8-ta presidenciale që do të mbahen në Kroaci, vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE) dhe i NATO-s.

Sipas deklaratës, për zgjedhjet presidenciale kanë plotësuar kriteret e nevojshme 8 kandidatë.

Në mesin e kandidatëve është edhe presidenti aktual Zoran Millanoviq që mbështetet nga partia Social Demokrate (SDP), ndërsa Unioni Demokratik Kroat (HDZ) i qendrës së djathtë në pushtet ka propozuar ish-ministrin e Arsimit, Dragan Primorac.

Po ashtu, ndër kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhje janë edhe Ivana Kekin nga aleanca "Mundemi", Miro Bulj nga aleanca "Ura", Branka Lozo nga partia "Atdheu" dhe "Tubimi Kombëtar" si dhe kandidatët e pavarur Niko Tokiq Kartelo, Marija Selak Raspudiq dhe Tomislav Jonjiq.

Nëse kandidatët nuk mund ta kalojnë pragun, raundi i dytë mbahet më 12 janar

Sipas sondazheve të zhvilluara në Kroaci, thuhet se Millanoviq dhe Primorac mund të kalojnë në raundin e dytë.

Millanoviq i cili në shumë deklarata të tij është përballur me HDZ-në dhe kryeministrin Andrej Plenkoviq tha se "Plenkoviq, ne e dimë se ju përbëni kërcënim për demokracinë e vendit. Që nga tani lamtumirë edhe emrit që keni paraqitur për kandidat".

Ndërsa Primorac tha se nuk dëshiron të takohet me Millanoviqin për shkak të retorikave të shëmtuara të shumë liderëve të BE-së. Kandidatja Kekin tërheq vëmendjen si bashkëshortja e një prej anëtarëve të grupit muzikor në Kroaci.

Nëse asnjë nga kandidatët nuk kalon pragun prej 50 për qind të votave në raundin e parë që do të mbahet të dielën më 29 dhjetor, dy emrat me më shumë vota do të garojnë në raundin e dytë që do të mbahet më 12 janar.

Rezultatet e para jozyrtare të zgjedhjeve pritet të shpallen natën e 29 dhjetorit.

Zgjedhjet presidenciale në Kroaci mbahen një herë në 5 vjet dhe një person mund të ushtrojë detyrën jo më shumë se dy mandate.

TRT Balkan / agjencitë