Specialja: Haxhi Shala dënohet me tre vjet burg, nga dy Januzi e Bahtjari                               Foto: AA

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë ka dënuar me tre vjet burgim Haxhi Shalën, si dhe me nga dy vjet Sabit Januzin dhe Ismet Bahtjarin.

Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftojnë se Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore të Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës ka miratuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë, të arritur midis Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe tre të akuzuarve në këtë çështje, ku ata pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.

Secili prej të akuzuarve pranoi se ishte pjesë e një grupi që tentoi të nxiste një person që të mos japë dëshmi para Dhomave të Specializuara përmes premtimit të një përfitimi. Konkretisht, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me udhëzim të Haxhi Shalës kontaktuan personin në shtëpinë e tij, përkatësisht më 5 dhe 12 prill 2023.

Në bazë të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, Trupi Gjykues shqiptoi gjithashtu dënime kundër Shalës, Januzit dhe Bahtijarit. Në marrëveshjen mes prokurorisë dhe të akuzuarve për zhdëmtimin e viktimave, palët janë marrë vesh që Haxhi Shala t'i paguajë 400 euro, Januzi 100, ndërsa Bahtjari asnjë cent.

Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor të vitit 2023, ndërsa Shala në dhjetor të vitit 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë që atëherë do t'u llogaritet në vuajtjen e dënimit.

TRT Balkan / agjencitë