Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shpallin sa më parë zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale në katër komunat me shumicë serbe në veri duke shprehur gatishmëri për pjesëmarrje në to.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media ka thënë se "tani topi është në anën e Prishtinës".
"Është e nevojshme që këta kryetarë komunash dhe këta këshilltarë komunalë të rremë, joligjorë dhe jolegjitimë, që kanë muaj që ngacmojnë qytetarët tanë të japin urgjentisht dorëheqjen dhe të largohen, për të dalë nga godinat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë shtetasit tanë", është shprehur Rakiq.
Ai ka thënë se vendimet politike të Listës Serbe janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.
"Kjo është arsyeja pse këtë herë ne do të dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë një mesazh se jemi gati të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe kështu të inkurajojmë procesin politik dhe dialogun që do të çonte në përmbushjen e kushteve tona që i kemi theksuar vazhdimisht deri më tani", theksoi Rakiq.
Ai shtoi se kjo është arsyeja pse po i kërkojnë Prishtinës të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës “sa më shpejt të jetë e mundur".
Institucionet e Kosovës janë deklaruar kundër kërkesave për dorëheqje të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kanë thënë se zgjedhjet në këto komuna do të mund të mbahen vetëm pas organizmit të një peticioni me të cilin kryetarët do të mund të largoheshin nga detyra.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, javë më parë ka thënë se çfarëdo kërkese tjetër për largimin e kryetarëve në veri, përveç me peticion, është kërkesë e Serbisë dhe si e tillë nuk do të adresohet.
Ligji për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë specifikon se në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës nëpërmjet një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; ose në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.
Në veri të Kosovës tensionet janë rritur nga fundi i muajit maj, pasi serbët lokalë e kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Serbët lokalë nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj, ndonëse nuk morën pjesë në procesin zgjedhor.