Në barrikadat e fundit në Kosovë nuk ka pasur pjesëtarë të njësisë paraushtarake ruse Wagner, ka deklaruar së fundimi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai e ka quajtur të padrejtë thirrjen e serbëve në luftën në Ukrainë.
“Pse të shkoni në Ukrainë apo Rusi? A pak kokë kemi humbur në të gjitha luftërat, gjatë gjithë shekullit të 19-të? I kemi humbur në forma të ndryshme dhe nëpërmjet krizës së aneksimit, në të gjitha konfliktet e viteve të nëntëdhjeta... Le të shpëtojmë popullin tonë, vendin tonë dhe kombin tonë. Bëni tifozëri për kë të doni - është detyra jonë të udhëheqim politikë të ashpër, të mbrojmë vendin dhe të ruajmë atë frymë lirie. Jam krenar për atë frymë lirie”, tha Vuçiq.
Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës sot ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që urgjentisht të ndalohen të gjitha aktivitetet e njësisë paraushtarake-terroriste ruse “Wagner” dhe të sanksionohen ligjërisht të gjithë shtetasit e huaj a vendas që kryejnë veprimtarinë e saj në Serbi.
Në njoftim thuhet se “Wagner” po merr pjesë në agresionin kundër Ukrainës dhe, sipas vlerësimeve, përbën rreth 10 për qind të forcave ushtarake që sulmojnë dhe shkatërrojnë këtë vend të pavarur.
Sipas tyre, raportet flasin se bëhet fjalë për një formacion të njohur për brutalitete dhe krime të shumta dhe se grupi “Wagner” ka filluar aktivitete edhe në Serbi.
“Prezencën e këtij grupi në vendin tonë publiku e mori vesh në dhjetor dhe pak ditë më parë ftoi shtetas serbë të rekrutoheshin për luftën në Ukrainë. Lidhja e ‘Wagner-it’ me grupet e rrezikshme të djathta në Serbi është më se e qartë. E gjithë kjo duhet të ndalet. Grupi paraushtarak-terrorist ‘Wagner’ duhet të dëbohet nga Serbia", thotë LSV-ja.