Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar idenë që Shqipëria të pranojë palestinezët nga Gaza si pjesë e planit të tij të diskutueshëm për ta evakuuar dhe “marrë” enklavën
Trump u takua me Mbretin jordanez Abdullah II në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë dhe gazetarët e pyetën nëse kishte ndonjë bisedë për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza në vende përtej Jordanisë dhe Egjiptit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Indonezinë.
“Po, sigurisht që po”, tha Trump.
Ai shtoi se ka shumë vende që kanë shprehur interes për të marrë pjesë dhe se ka "shumë njerëz që duan të ndihmojnë në zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza".
Nga ana tjetër, mbreti i Jordanisë deklaroi më vonë se ishte i vetëdijshëm se edhe vendet evropiane donin të përfshiheshin në zgjidhjen e çështjes në Gaza.
Plani i diskutueshëm i Donald Trumpit
Si pjesë e planit të tij të diskutueshëm, Trump dëshiron t'i zhvendosë palestinezët në Jordani, Egjipt dhe vende të treta, dhe më pas, siç paralajmëroi, ShBA-ja do ta marrë Gazën dhe do ta kthejë atë në "Rivierë të Lindjes së Mesme".
Sipas raportimeve të mediave izraelite dhe amerikane, ekziston një ide që vende si Shqipëria dhe Indonezia të pranojnë gjithashtu palestinezë.
Autoritetet e Palestinës, Jordanisë dhe Egjiptit, si dhe shumë vende, e kanë hedhur poshtë kategorikisht propozimin e Trump.
Shqipëria hedh poshtë akuzat e medias
Kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi poshtë kohët e fundit një raport nga Channel 12 i Izraelit që pretendonte se qeveria e tij është në bisedime me administratën Trump për të pranuar 100.000 palestinezë nga Gaza.
“Nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme për një kohë të gjatë dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Absolutisht jo e vërtetë”, ka shkruar Rama në rrjetin social X.
Duke shprehur respekt dhe solidaritet të plotë për banorët e Gazës, Edi Rama tha se askush nuk e ka kërkuar nga Shqipëria dhe as që mund të mendojë të marrë një përgjegjësi të tillë.
Propozimi i Trumpit erdhi një javë pasi një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë më shumë se 48.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.000 që nga 7 tetori 2023.