Kosova gjatë vitit 2024 ka importuar mallra në vlerë prej rreth 6,3 miliardë euro ndërkaq Türkiye është renditur e para në mesin e vendeve prej ku Kosova ka bërë import.
Në një konferencë për media ku u shpalosën të dhëna të Doganës për vitin 2024, drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu, tha se vendi i tij më së shumti ka importuar nga Türkiye.
Sipas tij, Kosova këtë vit ka bërë import prej rreth 6,3 miliardë euro ndërsa Türkiye është renditur e para me 909 milionë euro, duke u pasuar nga Gjermania dhe Kina, në vendin e dytë dhe të tretë, respektivisht.
Llugaliu theksoi se në kuadër të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes që hyri në fuqi në vitin 2019, këtë vit janë liruar nga detyrimet mallra në vlerë prej rreth 54 milionë euro.
Duke treguar se në buxhetin e vendit këtë vit kanë grumbulluar përafërsisht 1,8 miliard euro tatime doganore, Llugaliu tha gjithashtu se kanë konfiskuar mall në vlerë prej 19,3 milionë euro.
Në konferencën për media ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, i cili theksoi se afërsisht 90 për qind e buxhetit të vendit përbëhet nga të ardhurat nga doganat dhe tatimet.
Türkiye ishte vendi nga i cili Kosova importoi më shumë edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023.