​Turneu i boksit “Adem Jashari” sjell 8 shtete në Kosovë         / Foto: KosovaPress

Tetë shtete do të jenë pjesëmarrës të turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”, ndërsa risia e këtij edicioni është pjesëmarrja për herë të parë e Francës, bëri të ditur sekretari i Federatës së Boksit, Latif Demolli.

Ai tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij turneu.

“Ne gjithçka kemi bërë gati për këtë turne madhështor që është ndër turnetë më të mëdha në rajon sa i përket boksit për arsye se është në kalendarin e garave evropiane dhe botërore.”, u shpreh sekretari.

Në mesin e tetë shteteve, Latifi tha se për herë të parë pjesëmarrëse do të jetë edhe Franca, gjë që premton boks kualitativ për dy ditë me radhë.

“Kemi siguruar të sjellim tetë shtete, ndër to duhet përmendur se do të kemi edhe boksierë nga Franca, kemi Kroacinë, Sllovakinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën dhe Holandën. Do të thotë prapë se prapë do të jenë tetë shtete dhe besoj që publiku do të jenë të kënaqur me boksin që do të ofrohet këto dy ditë në gjysmëfinale dhe finale”, tha Demolli.

Në këtë turne, Kosova do të paraqitet me dhjetë boksierë dhe sipas Latifit, pritjet janë që ata të futen në rrethin e ngushtë për të fituar medalje.

Federata e Boksit ka vendosur që për fituesit të ketë edhe shpërblime.

“Boksieri më i mirë do të marrë 500 euro, tekniku më i mirë 300 euro, çifti më luftarak nga 200 euro dhe boksieri perspektiv dhe i huaji më i mirë, nga 100 euro. Pra një stimulim i boksierëve do të jetë sepse e meriton ky turne të ketë edhe shpërblime”, tha tutje Demolli.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Federata e Boksit po planifikon që ta zgjerojë këtë turne nga viti i ardhshëm do të zhvillohet për tri ditë me radhë teksa pret që numri i shteteve pjesëmarrëse të shkojë deri në 20.

TRT Balkan / agjencitë