Vazhdojnë hetimet mbi Masakrën e Mejës dhe atë të Dubravës      / Foto: AA

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se po vazhdojnë hetimet për gjetjen e kryerësve të krimeve të luftës në Masakrën e Mejës dhe në Masakrën e Dubravës.

Në një konferencë për media, prokurorët thanë se Prokuroria Speciale me marrjen e kompetencave për gjykimin e krimeve të luftës, u ballafaqua me probleme të shumta, sidomos me faktin se kryerësit e këtyre veprave nuk janë në Kosovë, shumica e tyre janë në Serbi, ndërsa viktimat janë në Kosovë, gjë e cila siç thanë atë "u ka paraqitur vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave".

Prokurorët u shprehën se po punojnë me përkushtim përkundër sfidave që hasin në gjetjen e provave dhe për kundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme nga lufta e fundit në Kosovë.

Prokurorja e rastit të Masakrës së Mejës, Drita Hajdari, duke folur për këtë masakër, tha se ajo është trashëguar nga Misioni i EULEX-it, i cili hetimin për këtë masakër e ka hapur në vitin 2013 kundër 18 personave dhe me kalimin e rastit në Prokurorinë Speciale, kanë vazhduar hetimet me grumbullimin e provave.

Hajdari tha se pas marrjes së kompetencave për procedimin gjyqësor të këtij rasti, Prokuroria ka zgjeruar hetimin edhe për 35 persona shtesë.

"Për Masakrën në Mejë në aktakuzë janë akuzuar gjithsej 53 persona. Aktakuza është e strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë e aktakuzës përfshin grupin e 5 të pandehurve që kanë planifikuar Masakrën e Mejës. Pjesa e dytë e përfshin grupin prej 11 të pandehurve të cilët në bashkëkryerje me grupin e parë kanë zbatuar planin për masakrën. Grupi i tretë prej 37 të pandehurve e përbëjnë ekzekutuesit direkt të cilët kanë kryer masakrën", theksoi Hajdari.

Ajo tha se hetimi i Prokurorisë Speciale ka vërtetuar se më 27-29 prill 1999 ishte zhvilluar një operacion sistematik i përbashkët i ushtrisë jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë përcjellë edhe me grupe paramilitare, ku në këtë operacion janë vrarë 370 civilë që nuk merrnin pjesë në luftime.

Prokurori i rastit të Masakrës së Dubravës, Ilir Morina, tha se në rastin e Masakrës së Dubravës nën hetim janë 88 të pandehur dhe ky hetim po vazhdon për një kohë të gjatë, ngase është një lëndë e trashëguar nga Misioni i EULEX-it.

Morina tha se për momentin vetëm një i pandehur është në paraburgim dhe urgjenca e procedimit të çështjes ndaj këtij të pandehuri është me arsye ligjore, për faktin se hetimi është dyvjeçar dhe brenda dy vjetëve duhet të kryhet një krim lufte dhe kjo është sfidë. Sfida e dytë, sipas tij, është se me ligjet e Kosovës, paraburgimi mund të zgjasë vetëm deri në 12 muaj.

"Ne jemi duke i vazhduar hetimet, jemi duke mbledhur provat dhe në momentin që të jemi gati në përputhje me kushtet ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale do të procedojmë edhe ndaj të pandehurve të tjerë", theksoi Morina.

Pas përfundimit të luftës së vitit 1998-99 në Kosovë kompetencën për procedimin e krimeve të luftës në Kosovë e ka pasur fillimisht Misioni për Sundimin e Ligjit (UNMIK) dhe më pas Misioni i EULEX-it, ndërsa Prokuroria Speciale ka filluar të marrë kompetencat për këto raste në fillim të vitit 2016, ndërsa tek nga viti 2018 ka pranuar fizikisht të gjitha rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës.

Prokurorët kosovarë deri më tani kanë ngritur gjithsej 33 aktakuza që nga marrja e kompetencave për procedimin e krimeve të luftës në Kosovë.

AA