Pesë nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë pjesë e Mekanizmt Mbrojtës Civil të Bashkimit Evropian. Shteti i fundit i cili u anëtarësua në këtë institucion të BE-së është Shqipëria. Jashtë këtij mekanizmi të rëndësishëm për dhënien e ndihmës humanitare dhe civile vazhdon të mbetet shteti i Kosovës.
Në kuadër të këtij Mekanizmi Mbrojtës Civil të BE-së, përveç 27 shtetet anëtare marrin pjesë edhe Islanda, Norvegjia dhe Türkiye. Prej themelit të saj e deri më tani ky mekanizëm është aktivizuar më shumë se 600 herë.
Ndihmën e këtij mekanizmi mund ta kërkojë çdo vend në Evropë dhe më gjerë kur do t’i tejkalojë kapacitet kombëtare si përgjigje për katastrofat natyrore, krizat shëndetësore ose përplasjet.
“Komisioni ka rol kyç në koordinimin e përgjigjeve ndaj katastrofave në Evropë dhe më gjerë, për shkak se kontribuon me më së paku 75 për qind të harxhimeve gjatë shpërndarjes së transportit ose harxhimeve operative”, thuhet në uebfaqet zyrtare të KE-së.
Pasi që një shtet i prekur nga katastrofat do të parashtrojë kërkesë deri te Mekanizmi Mbrojtës Civil i BE-së, radhën e ka Qendra për Koordinim të Rasteve Urgjente, e cila e koordinon dërgimin e ndihmave të duhura për shtetin.
Vitin e kaluar ndihmë kërkuan 84 shtete dhe një organizatë ndërkombëtare – UNICEF. Nga gjithsej 114 aksione, 36 ishin në kuadër të BE-së, 78 jashtë saj, thonë të dhënat e Këshillit të BE-së.
Por, ekzistojnë raste kur ky mekanizëm vepron edhe në shtete të cilat nuk janë anëtare. Shembull ishte Shqipëria, e cila gjatë ballafaqimit me zjarret gjatë kësaj vere, edhe pse nuk ishte anëtare e MMC-së, ajo pranoi ndihmë për shuarjen e zjarreve.
Ndryshe, ditëve të kaluara Shqipëria, Serbia dhe Kosova janë përfshirë nga vërshime të mëdha, me çka janë regjistruar edhe viktima. Mbetet të shihet se vallë në këto raste do të aktivizohet MMC-ja.