Çështja e sigurisë në Kosovë ka qenë temë kryesore mes ministrave të Mbrojtjes së Serbisë dhe Türkiyes sot në Beograd.
Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë dhe njëherësh ministër i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka theksuar se krahas temave të rëndësishme dypalëshe rreth bashkëpunimit ushtarak mes dy shteteve, ata kanë biseduar edhe për Kosovën.
“Mund të them gjithashtu se tema dominuese e bisedës sonë ishte çështja e sigurisë në Kosovë. Jemi të inkurajuar nga garancitë që morëm nga z. Guler për sigurinë e komunitetit serb në Kosovë, duke pasur parasysh se komandanti i ri i KFOR-it është një gjeneral turk. Dhe, mbi të gjitha, sigurisht ka diçka që është e pranishme në vetëdijen politike në Serbi – Türkiye ka një ndikim dhe rëndësi të madhe dhe domethënëse politike, ekonomike, të sigurisë dhe kulturore për zonën e Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçeviq.
Mes të tjerash ai theksoi se vizita e ministrit turk Yaşar Güler, ka ardhur në kohën e duhur, duke pasur parasysh gjithçka ndodh në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.
Pas takimit, Güler falënderoi për mikpritjen dhe përcolli mbështetjen dhe përshëndetjet e Presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
"Sapo patëm një takim gjithëpërfshirës, pozitiv, konstruktiv me kolegun tim Vuçeviq. Në bisedë u prekëm tema të tilla si lidhjet e forta historike, kulturore, njerëzore dhe marrëdhëniet shumë të mira me Serbinë. Ne mbështesim paqen, stabilitetin, integritetin territorial dhe pjesëmarrjen e Ballkanit në organizatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, tha ministri Yaşar Güler,
Ai tha gjithashtu se Türkiye i mbështet këto anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, duke theksuar se dialogu është mënyra e vetme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.
"Türkiye do të bëjë gjithçka për të vazhduar në këtë çështje. Vendi ynë, i cili ka marrë komandën e KFOR-it, do të vazhdojë t'i japë përparësi stabilitetit, sigurisë dhe rendit publik në mënyrë të paanshme”, theksoi Yaşar Güler,.
Kreu i mbrojtjes turke Güler javën e kaluar qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë nga ku theksoi se detyrën komandës së KFOR-it, do ta realizojnë me neutralitet dhe transparencë të plotë.