Kryeministri në largim i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se tërheqja e mundshme e SHBA-së nga KFOR-i në Kosovë mund të komplikojë situatën e sigurisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së tij në Sarajevë, Vuçeviq ka komentuar shkrimin e mediave gjermane se SHBA-ja do të tërhiqet nga baza Bondstil në Kosovë, duke dhënë vlerësim se çfarë do të thotë kjo për Prishtinën.
Sipas tij, nëse SHBA-ja do të largohet nga KFOR-i apo jo, varet nga vendimi i presidentit Donald Trump dhe administrata e tij. Ai theksoi se Serbia do ta monitorojë situatën.
"Kjo mund të komplikojë kushtet e sigurisë në Kosovë. Dhe gjithçka që po ndodh gjeopolitikisht, edhe në çështjen e Ukrainës dhe në çështjen e marrëdhënieve të partnerëve të NATO-s, e gjitha kjo po prishet", tha Vuçeviq pas takimit me mitropolitin Hrizostom në Bosnjë e Hercegovinë.
Ai ka theksuar se, sipas Marrëveshjes së Kumanovës, KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetin serb, duke theksuar se është absolutisht e papranueshme që forcat e Kosovës ta zëvendësojnë KFOR-in në zonat serbe.
Në ditën e dytë të vizitës së tij, Vuçeviq vizitoi Katedralen Metropolitane në Sarajevë dhe u takua me mitropolitin Hrizostom.
Ai tha se do të vazhdojë ndihma për Mitropolinë dhe për komunitetin serb në Sarajevë, "duke ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të Sarajevës Lindore si qendër të serbëve në këtë pjesë të Bosnjë e Hercegovinës".
I pyetur nga një gazetar për procesin gjyqësor kundër presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, Vuçeviq bëri thirrje të mos abuzohet me pushtetin gjyqësor për të anuluar vullnetin elektoral të qytetarëve.