Vuçiq: Asociacioni "kusht" për vazhdimin e dialogut me Kosovën. / Photo: Tanjug

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së. Por, kjo marrëveshje nga Gjykata Kushtetuse e Kosovës u cilësua në kundërshtim me frymën kushtetuese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vazhdimi i procesit të dialogut Beograd-Prishtinë varet nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq në Beograd priti kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Duke bërë një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale pas takimit me dyer të mbyllura, Vuçiq falënderoi Austrinë për mbështetjen e saj për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

Vuçiq tha se kanë biseduar për forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella me Austrinë dhe theksoi se janë fokusuar veçanërisht në investime.

Ai tha se kanë biseduar për procesin e dialogut Beograd-Prishtinë. "Normalizimi i marrëdhënieve dhe vazhdimi i procesit varet nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha Vuçiq.

S’ka marrëveshje për Asociacionin komunave me shumicë serbe

Serbia dhe Kosova, të cilat përplasen periodikisht, po përpiqen të gjejnë një mënyrë të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimisht për njohjen e ndërsjellë, në kuadër të procesit të dialogut Beograd-Prishtinë të nisur në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së.

Në negociatat, të cilat zgjatën rreth 12 orë në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, nën ndërmjetësimin e BE-së, u arrit një marrëveshje që do të normalizojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilët u takuan për herë të fundit në Bruksel më 2 maj, nuk arritën marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.


TRT Balkan / agjencitë