Vuçiq e Blinken biseduan për raportet dypalëshe, Kosovën dhe BE-në.     /Foto: AA

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe sekretari amerikan i shtetit zhvilluan mbrëmë një bisedë telefonike për situatën në Kosovë, rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

"Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamjet e tyre për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ndërkaq Vuçiq në veçanti potencoi se paqja dhe stabiliteti i gjithë rajonit dhe e ardhmja e sigurt ekonomike paraqesin qëllimet kryesore për të gjithë ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor", thuhet në deklaratën e kabinetit të presidentit serb.

Sekretari amerikan i shtetit Blinken në Twitter e falënderoi presidentin Vuçiq për angazhimin e tij konstruktiv me ekipet e ShBA-së dhe të BE-së javën e kaluar.

Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që Serbia dhe ShBA-ja kanë mundësi të shumta për avancimin e partneritetit dhe bashkëpunimit dypalësh në sfera të ndryshme.

TRT Balkan / agjencitë