Vuçiq: Komuniteti ndërkombëtar të reagojë ndaj politikave të Prishtinës.     /Foto: AA

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka takuar sot ambasadorët e vendeve të QUINT-it - ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë si dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) ndërsa tema e vetme e bisedës ishte përshkallëzimi i fundit i dhunës në Kosovë.

Vuçiq shprehu pakënaqësi të madhe dhe shqetësim "për faktin se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare vazhdon të tolerojë lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat çojnë në dhunë kundër komunitetit serb, që rezulton në një numër në rënie të opsioneve që mund të çojnë në paqe të përhershme dhe stabilitet në rajon", thuhet në komunikatën e zyrës së presidentit serb.

Më tej thuhet se Vuçiq i ka njoftuar bashkëbiseduesit për kronologjinë e ngjarjeve gjatë ditës së djeshme ku u plagosën një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë e tyre për, siç thotë ai, "ndërhyrjen e forcave ilegale të Albin Kurtit në objektet serbe", por edhe për shkak të besimit të lëkundur në KFOR-in, i cili përkundër garancive të dhëna, "nuk i mbrojti serbët dhe nuk e pengoi marrjen e paligjshme dhe të dhunshme të komunave".

Presidenti serb përkujtoi se kishte paralajmëruar me kohë për këtë zhvillim të situatës si dhe për pasojat që mund të sjellin veprimin e pandëshkuar të institucioneve në Prishtinë, të cilat jo vetëm që nuk i përmbushin obligimet e veta, por rregullisht i ndërmarrin të veprime të njëanshme të dhunshme kundër komunitetit serb në Kosovë, me incidente të shumta dhe të shpeshta, me pasojë lëndime, rrahje, keqtrajtime dhe diskriminim të hapur të serbëve.

"Vuçiq tha se është koha që një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare më në fund të reagojë ashpër, qartë dhe pa mëdyshje ndaj politikës së institucioneve të Prishtinës dhe të mbrojë serbët nga presionet gjithnjë e më të forta dhe dhuna brutale që kryhet në sy të të gjitha mekanizmave, roli i të cilëve është mbrojtja e komunitetit", thuhet në njoftim.

Presidenti serb shprehu keqardhje për ushtarët e plagosur të KFOR-it, por theksoi se një numër shumë më i madh i serbëve u plagosën, se kundër tyre u përdorën armë zjarri dhe forcë e madhe fizike edhe pse që në fillim ata bënë rezistencë jo të dhunshme.

Vuçiq shtoi se "në situatën aktuale ruajtja e paqes është e një rëndësie kyçe, por se më e rëndësishme është siguria e komunitetit serb në Kosovë dhe se në këtë drejtim ai pret që vendet e QUINT-it, të cilat kanë ndikimin më të madh në Prishtinë, që urgjentisht të miratojnë dhe zbatojnë masa të caktuara që do të garantonin sigurinë e serbëve në Kosovë, gjë që është parakusht për çdo diskutim të mëtejshëm me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë".

Ai theksoi se "Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të tërheqë forcat e tij speciale, sepse serbët nuk do ta pranojnë kurrë pushtimin e tij".

"Shpresoj se do të jeni në gjendje të bindni Kurtin për të tërhequr forcat e tij dhe kryetarët personalë nga veriu", tha presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai theksoi se Serbia do të vazhdojë komunikimin me përfaqësuesit e NATO/KFOR-it në besimin më të mirë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

"Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi shprehën shqetësimin e tyre për përshkallëzimin e dhunës dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it. Ata kërkuan kthim në dialog për të gjetur një rrugëdalje politike nga situata", thuhet në fund të deklaratës.

TRT Balkan / agjencitë