Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk pret që tensionet me Kosovën të kthehen në luftë.
"Unë nuk pres luftë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje t'i kapërcejmë të gjitha vështirësitë", tha Vuçiq sot në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Ai tha se në Davos janë ndarë shumë mendime për situatën në Kosovë, por askush nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje.
“Pse Karta dhe rezolutat e OKB-së janë të rëndësishme dhe duhet të respektohen kur flitet për vendet e tjera, por kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë nuk funksionon? Në çdo rast, ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën dhe do të investojmë kohë dhe përpjekje për të siguruar stabilitet dhe paqe”, shtoi Vuçiq.
Vuçiq: Erdoğani është mik i vërtetë i Serbisë
Presidenti serb iu referua edhe marrëdhënieve mes Beogradit dhe Ankarasë, duke theksuar se Serbia e konsideron presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan mik të vërtetë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme për pavarësinë e Kosovës.
Ai tregoi se Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me Türkiyen, duke shtuar se të dyja vendet do të vazhdojnë të punojnë së bashku në të gjitha fushat për t'i bërë ato edhe më të mira.
Vuçiq theksoi se Beogradi dëshiron të përmirësojë bashkëpunimin me Ankaranë në planin ushtarako-teknik, por ka disa pengesa në këtë drejtim sipas tij, veçanërisht në lidhje me Kosovën.
“Kur ta kalojmë këtë, jam i sigurt se kemi shumë për të bërë së bashku në këtë fushë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime për të parë se si mund t'i kapërcejmë këto vështirësi dhe cili mund të jetë kontributi i tij”, tha Vuçiq, duke shtuar se për Beogradin është e papranueshme që Türkiye të shesë njëkohësisht dronet Bayraktar edhe në Serbi, edhe në Kosovë.
Ndër të tjerash, Vuçiq ka theksuar se shteti i tij, përveç dronëve Bayraktar, është i interesuar edhe për blerje të pajisjeve të ndryshme ushtarake nga Türkiye.