Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se “përfaqësuesve të shqiptarëve në Prishtinë dhe një pjese të ndërkombëtarëve” u duhet dëbimi i serbëve nga Kosova, pasi vetëm në këtë mënyrë e shohin zgjidhjen e problemeve.
Pas takimit me patriarkut Porfirej, Vuçiq pyeti se kur ka ndodhur në histori që një udhëheqësi të kishës t’i ndalohet hyrja në ndonjë territor. Ai ka reaguar edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare për mosreagim ndaj këtij rasti.
Duke folur për barrikadat, Vuçiq tha se thelbi i asaj se pse dikush “në mënyrë histerike” insiston që të hiqen barrikadat, qëndron të faktin se atyre u duhet që serbët të dëbohen nga Kosova.
“Flas edhe për shqiptarët në Prishtinë, edhe për një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Çfarë u pengon atyre, ato rrugë nuk përdoren fare nga shqiptarët. Në ato rrugë shkojnë vetëm serbët e veriut, 99% prej të cilëve i përkrahin barrikadat si lloj proteste dhe betejë për të drejtat e tyre, për jetët e tyre”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se Serbia po zhvillon bisedime me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe këto bisedime janë të rënda, dinamike dhe serioze, sepse duhet të mbrojë interesat e serbëve në Kosovë. Ai tha se nga Perëndimi vijnë edhe kërcënime dhe i thuhet se “po u skadon koha” dhe se nëse nuk i hiqni barrikadat, do të lejojmë Kurtin të bëjë atë çfarë duhet.
Serbët e veriut të Kosovës kanë barrikaduar rrugët dhe vendkalimet kufitare me Serbinë për të 18-tën ditë me radhë. Qeveria e Kosovës i bëri thirrje KFOR-it që t’i heqë barrikadat, ose atë do ta bëjë policia e Republikës së Kosovës.