Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Qeverinë e Kosovës, Emilija Rexhepi, është pritur në Budapest nga ministri hungarez për Çështje të Bashkimit Evropian, Janos Boka, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, zv.kryeministrja Rexhepi nënvizoi të arriturat e qeverisë së Kosovës në zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat sociale dhe në ekonomi, si dhe konfirmoi angazhimin e plotë të qeverisë për gjithëpërfshirje dhe përkrahje të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike.
Rexhepi theksoi nevojën për largimin e masave të BE-së të cilat tha se "mbeten në fuqi padrejtësisht", derisa nënvizoi edhe rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në avancimin në rrugëtimin e procesit drejt integrimit në BE përmes marrjes së statusit të vendit kandidat.
Tutje, zv.kryeministrja Rexhepi e falënderoi ministrin Boka për kontributin e Hungarisë ndër vite si dhe mbështetjen e saj edhe për ofrimin e bursave për studentët nga Republika e Kosovës pa dallim në kuadër të platformës "Hungaricum Stipendium".
Zv.kryeministrja Rexhepi po qëndron në një vizitë zyrtare në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e nivelit të lartë për çështje të politikave sociale dhe demografisë që mbahet në kuadër të presidencës hungareze të BE-së e që do të zhvillohet në Budapest.