Të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit, e të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës përmes postës, nga sot e deri më 8 shkurt e kanë mundësinë të votojnë për zgjedhjet e rregullta parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përmes një njoftimi ka informuar se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
Sipas njoftimit të KQZ-së, periudha 9 janar – 8 shkurt do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që kanë dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Ndërkohë, ata që janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025.
Kujtojmë se në Republikën e Kosovës më 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, ndërsa zyrtarisht fushata zgjedhore fillon më 11 janar.
Sipas vendimeve të KQZ-së, gjithsej 28 subjekte politike janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, me gjithsej 1.280 kandidatë të cilët do të garojnë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.