Zjarr ndaj Policisë së Kosovës në Zubin Potok, arrestohet i dyshuari      / Foto: AA

Në fshatin Bube të Zubin Potokut, në Veri të Kosovës, gjatë orëve të para të mëgjesit të sotëm (30 dhjetor), ka pasur shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës dhe disa pjesëtarëve të komunitetit serb.

Sipas autoriteteve policore ata kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve dhe në përpjekje për t’i ndaluar dhe për t’i kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur veten dhe për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull, serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, thonë nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit të kamionit, sipas raportit të policisë janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu, në vendngjarje janë hasur edhe dy automjete të braktisura, për të cilat policia dyshon se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vendngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’.

Në vendin e ngjarjes po ashtu kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në.

TRT Balkan / agjencitë