Të veshur me uniforma të punës, qindra zjarrfikës të cilët shërbejnë në qytete të ndryshme të Kosovës kanë mbajtur protestë para ndërtesës së Qeverisë për të kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre.
Me pankarta si "Me dekada të diskriminuar", "Të rrezikuar, pa shtesa dhe rrezikshmëri", "Qeveri, mos lejo që padrejtësitë të bëhen ligje", zjarrfikësit thanë se janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikësve.
"Zjarrfikësit e Kosovës ballafaqohen me një mori problemesh të padefinuar, pa buxhet të planifikuar dhe pa pajisje personale dhe kolektive, numri i vogël të zjarrfikësve që ndikon drejtpërdrejt në hapësirë fizike. Pastaj, mosha mesatare e shtyrë dhe të gjitha këto probleme të akumuluara të cilat jam i bindur se institucionet i dinë. Mjaft kemi bërë dhe synimi ynë ka qenë që të mos vijmë deri te kjo protestë, sepse zjarrfikësit nuk e kanë vendin në protestë", theksoi kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve në Kosovë, Muharrem Beka.
Beka tha se vendimi për anulimin e rrezikshmërisë për zjarrfikësit ka shkaktuar indinjatë për ta dhe ngrit pikëpyetjen se a është analizuar mirë ky vendim.
Ndër kërkesat kryesore që Beka bëri publike ishin që të sigurohet buxhet emergjent për zjarrfikësit, të kthehet pagesa e rrezikshmërisë për ta nga muaji shkurt i këtij viti, në mënyrë retroaktive, të sigurohen kushte më të mira të punës me pajisje personale dhe rroba mbrojtëse, sigurime shëndetësore dhe të rregullohet aspekti menaxhues-buxhetor i zjarrfikësve.
Ata po ashtu i kanë shkruar një kërkesë edhe kryeministrit Kurti të cilin e kanë njoftuar se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit.