A mund të përdoren kabllot optike për të paralajmëruar në kohë një tërmet?   / Foto: TRT World

Tërmetet e fundit katastrofike në Türkiye dhe Sirinë fqinje që morën më shumë se 50.000 jetë, kanë aktualizuar temën e zhvillimit të metodave shkencore për zbulimin e hershëm të tërmeteve dhe nëse një përparim i tillë është i mundur edhe në shkencë.

Kur dy tërmetet e fuqishme me magnitudë 7,6 dhe 7,7 goditën më 6 shkurt, shumica e njerëzve nuk e kishin idenë për shkallën e fatalitetit dhe shkatërrimit.

Pas “katastrofës së shekullit” siç u quajt shkatërrimi i shkaktuar nga tërmetet dhe pasgoditjet, është ndezur debati për krijimin e sistemeve të paralajmërimit përpara goditjes së tërmeteve.

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë bërë përparim në krijimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm të tërmeteve që dërgojnë sinjalizime drejtpërdrejt te njerëzit nëpërmjet telefonit kur sizmometrat zbulojnë fillimin e lëkundjeve.

Kjo teknologji ofron një paralajmërim prej disa sekondash, në varësi të afërsisë me epiqendrën, e cila mund të sigurojë kohë të mjaftueshme për njerëzit që të strehohen dhe të mbrohen.

Një teknologji në zhvillim që mund të bëjë një ndryshim është sensori akustik i shpërndarë, ose shkurt DAS.

Megjithëse DAS-i është ende në fazat e hershme, shkencëtarët besojnë se mund të përdorë rrjetin e gjerë të kabllove optike të vendosura nën tokë për të zbuluar valët sizmike.

Ndërsa këto kabllo janë të destinuara kryesisht për telekomunikacion, lëvizja e tokës prish paksa rrjedhën e dritës, domethënë transmetimin e të dhënave të transmetuara pënëpërmjet kabllosë, duke krijuar sinjale të ndryshme që shkencëtarët mund t'i zbulojnë.

Megjithëse DAS-i nuk mund të parashikojë tërmetet, ai mund të zbulojë dridhjet në një fazë të hershme që mund të jenë shenjat e para të një tërmeti të afërt.

Ndërrimi i sizmometrave

DAS-i funksionon në mënyrë të ngjashme me sistemin e paralajmërimit të hershëm ShakeAlert të përdorur nga Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së.

ShakeAlert përbëhet nga mbi 1.400 stacione sizmografike në gjithë Kaliforninë, Oregonin dhe Uashingtonin që gjurmojnë valët P me lëvizje të shpejtë që janë pararendëse të valëve S më të dëmshme dhe valëve sipërfaqësore.

Sistemi dërgon alarme emergjente në celularët e banorëve lokalë nëse algoritmet përcaktojnë se dridhja do të jetë mbi 5 gradë.

Ky sistem mund të japë disa sekonda paralajmërime, por është i kufizuar nga distanca nga epiqendra, që do të thotë sa më afër të jeni, aq më pak kohë keni për t'u përgatitur.

DAS-i ndryshon në atë që përdor kabllot me fibra optike në vend të sizmometrave për të krijuar një sensor gjigant tërmetesh.

Shkencëtarët mund të lidhin një pajisje të quajtur pyetës në kabllot e papërdorura dhe të ndezin një impuls lazer nëpërmjet telave.

Duke analizuar fragmentet e dritës që kthehen prapa kur kablloja tundet, shkencëtarët mund të lokalizojnë dridhjet në kohën që duhet që sinjali të arrijë në sondë. Për shkak se DAS-i mbulon një zonë të madhe dhe jo një pikë të vetme, ai ka potencialin të sigurojë mbulim më të detajuar dhe potencialisht më shumë kohë paralajmërimi.

Megjithëse DAS-i është në fazat e hershme të zhvillimit, ai ka disa përparësi.

Për shembull, shumë prej kabllove janë instaluar tashmë, duke e bërë sistemin më të lehtë dhe më të lirë për t'u zbatuar në krahasim me teknologjitë e tjera.

Gjithashtu, me DAS-in, aplikacioni mund të shtrihet në monitorimin e mundshëm të aktiviteteve vullkanike dhe zbulimin e rrëshqitjeve.

Përdorimi i kësaj teknologjie mund të zvogëlojë ndjeshëm numrin e jetëve të humbura në tërmetet e ardhshme dhe llojet e tjera të fatkeqësive natyrore.

TRT Balkan