Shkencë, zbulime të reja nga hapësira dhe nga bota e kafshëve

Zhvillimet në fushën e shkencës dhe teknologjisë po hedhin dritë në misteret e fshehura të universit dhe po ofrojnë njohuri të reja si dhe zgjidhje për problematikat njerëzore.

Përparime në teknologjinë hapësinore

Më 9 korrik, sateliti i parë vendas i komunikimit të Türkiyes, Türksat 6A, u lançua nga Cape Canaveral në ShBA, duke përdorur raketën Falcon 9 të SpaceX. Kjo arritje e bën Türkiyen një nga 11 vendet në botë që kanë këtë aftësi.

Lançimi i satelitit turk vendas e çoi numrin e satelitëve aktivë të Türkiyes në nëntë, duke e pozicionuar vendin si eksportues satelitësh.

Ndërkaq, një progres tjetër hapsinor ishte teleskopi hapësinor James Webb, i cili kapi imazhe të dy galaktikave ndërvepruese, Penguin (NGC 2936) dhe Veza (NGC 2937), që priten të bashkohen përfundimisht në një galaktikë.

Progres në shëndetësi

Personat me amputime kanë arritur të rifitojnë shpejtësinë e tyre natyrale të ecjes falë një këmbë të re bionike që përdor teknologji të avancuar të nervave, duke lëvizur 41 për qind më shpejt se me protezat tradicionale.

Këto këmbë bionike, të pajisura me sensorë muskujsh, përfaqësojnë një hap të madh përpara në dizajnin e protetikës.

Gjithashtu, një hartë e detajuar e trurit identifikoi afërsisht 300 neurone në korteksin paraballor që u përgjigjen kuptimeve të fjalëve, duke çuar potencialisht në teknologji të reja dhe ndërveprim truri-kompjuteri për të ndihmuar ata që kanë humbur aftësinë e tyre për të folur.

Grumbullimi i ujit atmosferik mund të sigurojë ujë të pijshëm për miliarda

Shkencëtarët në ShBA kanë zhvilluar një pajisje që mbledh avullin nga ajri dhe e shndërron atë në ujë të pijshëm.

Krijuar nga inxhinierët në Universitetin në Utah, pajisja përdor një material higroskopik për të kapur dhe ngrohur avullin, duke siguruar potencialisht ujë të pijshëm për miliarda njerëz që përballen me mungesë.

Zbulime të rëndësishme në habitatin e kafshëve

Zbulimet e reja në botën e kafshëve përfshijnë një specie të bretkosës së qelqit, Centrolene Kutuku, e gjetur në pyjet tropikale të Amazonës, që njihet për nga barku i saj transparent.

Për më tepër, një studim i mbi 250 shimpanzeve në Ugandë dhe Tanzani zbuloi se modelet e tyre të komunikimit, duke përfshirë lëvizjet, shkëmbimet me ritme të shpejta dhe përdorimin e gjesteve, janë të ngjashme me stilet njerëzore.


AA