Katër raste të reja me kollë të keqe janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar numrin në total në 22 që nga fillimi i këtij viti.
Informacionin për MIA-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq.
Komisioni është mbledhur dje dhe ka propozuar shpalljen e epidemisë në territorin e qytetit të Shkupit.
Në vend ka fëmijë të shtruar në spital, por edhe të rritur me kollë të keqe. Megjithatë, autoritetet thonë se situata në vend është stabile për dallim nga vendet e tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë vdekje.
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili përballet me mundësinë e shkarkimit pasi kryeministri teknik Talat Xhaferi i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit kërkesën për shkarkimin e tij, ka thënë sot se do të nënshkruajë dokumentin për shpalljen e epidemisë së kollës në Shkup, pas rekomandimit të djeshëm të Komisionit për Sëmundje Infektive.
Komisioni për Sëmundjet Infektive ka propozuar gjithashtu edhe ndalimin e pranimit të fëmijëve të pavaksinuar nëpër kopshte.