TIKA rinovon dhe pajis Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Shkup            Foto: AA

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka riparuar dhe pajisur hapësirat arsimore të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, duke kontribuar në zhvillimin e turkologjisë në rajon.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Shkup Fatih Ulusoy, nënkryetari i TIKA-s Mahmut Çevik, kryetari i Partisë Demokratike Turke në Maqedoninë e Veriut, njëherësh deputet Beycan İlyas, kryetar i Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk (TMBH) Erdoğan Saraç, dekani i Fakultetit Filologjik “Blazhe Koneski” prof. dr. Vlladimir Martinovski, shefi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke prof. dr. Osman Emin, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, profesorë dhe studentë.

Në fjalën e tij, ambasadori Ulusoy shprehu mirënjohje për të gjithë ata që bëjnë përpjekje që të mësohet gjuha turke, njëkohësisht duke theksuar lidhjen e fortë mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai u shpreh se Türkiye qëndron gjithmonë në krah të Maqedonisë së Veriut dhe shtoi: “Shpresojmë që edhe në të ardhmen të bashkohemi nëpërmjet ngjarjeve dhe aktiviteteve të departamentit të turkologjisë që do të na bëjnë krenarë”.

Ndërkaq, nënkryetari i TIKA-s nënvizoi se TIKA kontribuon në gjithë botën për zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës turke dhe në fushën e turkologjisë, duke shtuar se deri më sot janë realizuar mbi 500 projekte në këtë drejtim.

“Kur bëhet fjalë për boshtin e Ballkanit dhe Evropës Lindore, ne kemi zbatuar rreth 120 projekte në fushën e turkologjisë. Këtu përfshihet rinovimi dhe pajisja e departamenteve të turkologjisë, trajnimi, sigurimi i materialeve arsimore dhe mbështetja”, tha ai, duke shtuar se po ashtu janë ofruar programe trajnimi për pedagogët, duke ndarë kështu përvojën e Türkiyes.

Dekani Martinovski, nga ana tjetër, shprehu falënderime për mbështetjen e dhënë në përmirësimin dhe modernizimin e kushteve të departamentit të turkologjisë.

“Shpresoj se turkologjia do të vazhdojë të zhvillohet brenda universitetit tonë. Uroj që ky zhvillim të bëhet në kuadër të rrjetit të bashkëpunimit me të gjitha universitetet ku mësohet turkologjia”, tha ai.

Shefi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërrsisë Turke, Emin, kujtoi se ky departament vitin e ardhshëm do ta festojë 50-vjetorin e themelimit.

“Fatmirësisht, ne kemi hyrë në vitin tonë të 49-të në këtë rrugë që synon ta mbajë gjallë gjuhën, kulturën dhe letërsinë turke dhe, më e rëndësishmja, të arsimojë mësues për komunitetin turk”, tha ai.

TRT Balkan / agjencitë