Kryediplomati i RMV-së falënderon Türkiyen: Ndajmë interesa të përbashkëta/ Photo: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Türkiyes, Hakan Fidan, ndodhet për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit në Shkup nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Fillimisht, ministrat Fidan dhe Mucunski patën një takim tet-a-tete, që më pas u ndoq nga një takim dypalësh, ku përveç ministrave morën pjesë edhe delegacione të dy ministrive.

Në konferencën e përbashkët për media, ministri Mucunski theksoi se Türkiye është mike e dëshmuar dhe aleate e Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s.

Kryediplomati maqedonas falënderoi Türkiyen, që ishte një nga vendet e para që tregoi solidaritet në ballafaqimin me zjarret që shpërthyen në pyjet e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Mucunskit, kjo është vizita e parë zyrtare e një ministri të Jashtëm të huaj pas marrjes së detyrës së tij, duke shtuar se është i lumtur që takimi i tij i parë është pikërisht me ministrin turk Hakan Fidan.

"Ky është një konfirmim i fuqishëm i dialogut politik gjithnjë e më intensiv midis dy vendeve, besimit të ndërsjellë në rritje, partneritetit dhe miqësisë që ne bashkërisht ndërtojmë dhe ushqejmë. Sot patëm bisedime konstruktive në të cilat bashkërisht diskutuam mundësitë për avancimin e marrëdhënieve në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për thellimin e tij", deklaroi Mucunski.

Ai theksoi se që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, investimet turke janë shumë të mëdha, por shtoi se bashkëpunimi ekonomik deri më tani nuk ka arritur nivelin e dëshiruar nga të dy vendet.

Përveç marrëdhënieve ekonomike, Mucunski bëri të ditur se me homologun e tij turk kanë biseduar edhe për çështje të sigurisë, çështje rajonale dhe çështje të tjera.

"Me Türkiyen, partnerin dhe aleatin tonë në NATO, ndajmë pikëpamje dhe shqetësime të përbashkëta për sigurinë dhe kërcënimet e tjera rajonale, si dhe interes të përbashkët për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Evropës Juglindore. E njoftova kolegun tim me situatën aktuale në rajon, parë nga perspektiva jonë, e cila është tërësisht e fokusuar në procesin e reformave të BE-së dhe integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian", u shpreh Mucunski.

Më tej, ai njoftoi se të dy palët kanë diskutuar dhe shkëmbyer mendime për situatën aktuale në lidhje me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe situatën e fundit në Lindjen e Mesme.

Në fund, kryediplomati maqedonas theksoi se që nga pavarësia e saj, Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Türkiyen si mike dhe mbështetëse e dëshmuar dhe e përkushtuar në realizimin e përcaktimeve dhe qëllimeve më të larta strategjike.

AA