Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me Delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme pranë Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, të udhëhequr nga deputeti Radek Vondraçek, zv/kryetar i Komisionit.
Siç njofton Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në fokus të bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ku u theksua mbështetja e Republikës Çeke për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
"Kryetari Gashi shprehu mirënjohjen e tij që Republika Çeke, si anëtare e Bashkimit Evropian, i promovon parimisht politikat në kontekstin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai gjithashtu shprehu pritjen për intensifikimin e mëtutjeshëm të kësaj mbështetjeje. Sidomos në raport me Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi ynë në rrugën e integrimit evropian, përkundër kapacitetit të madh për kompromise që kemi treguar në periudhën e kaluar", thuhet në njoftim.
Vondraçek theksoi se është i njohur qëndrimi i vendit të tij për mbështetjen afatgjate të proceseve integruese të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit në tërësi.
Në takim u theksua se sivjet, dy vendet shënojnë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe se "ndër vite miqësia dhe respekti i ndërsjellë midis dy vendeve jo vetëm që është konfirmuar, por edhe është thelluar".
Sipas njoftimit, në takim u shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin ndërparlamentar, ku u theksua komunikimi ndërmjet trupave të punës dhe grupeve parlamentare për bashkëpunim është shumë i rëndësishëm.