Skuadra e vetme shqiptare e cila vazhdon pjesëmarrjen e saj në arenën evropiane të futbollit, Ballkani nga Kosova, ka barazuar si mysafir kundër Astanas në kuadër të Ligës së Konferencës.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara, ndeshja përfundoi me rezultat 0:0. Ballkani tregoi paraqitje tejet të mirë si mysafir, por që i mungoi fati për ta gjetur golin.
Statistikisht, kampioni i Kosovës e dominoi Astanan, ku kishte 57% të posedimit të topit, ndërsa 12 tentime për gol, ku katër prej tyre përfunduan drejt portës. Astana regjistroi 43% të posedimit të topit, 11 tentime për gol ku vetëm një ishte drejt portës.
Nga ana tjetër, Viktoria Plzen e ka mposhtur Dinamo Zagrebin me rezultat minimal 1:0. Me pikët e reja, Plzen ngjitet në kuotën e 12 pikëve në krye të Grupit C, tetë sosh më shumë se Astana e Ballkani në vendin e dytë dhe të tretë.
Në anën tjetër, Dinamo Zagrebi zë vendin e fundit në tabelë me vetëm tri pikë të arkëtuara.