Jo më larg se një vit më parë skuadra e Ballkanit shkroi historinë e futbollit në Kosovë. Ata u bënë skuadra e parë shqiptare në rajon e cila arriti të kualifikohet në grupet e Ligës së Konferencës.
Për dallim nga viti i kaluar, kësaj radhe skuadra nga Suhareka do të riprovojë suksesin e saj në këtë kompeticion duke u radhitur ndër dy skuadrat që do të kalojnë tutje nga faza e grupeve.
Aventura fillon nga Çekia
Futbollistët e Ballkanit në ndeshjen e parë do të udhëtojnë në Doosan Arena të Çekisë për t'u ballafaquar me skuadrën nikoqire të Victoria Plzen.
Kjo ndeshje pritet të fillojë të enjten në ora 21:00.
Në kuadër të këtij grupit C, aty ku bën pjesë edhe Ballkani në po të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe FC Astana.
Rrugëtimi i Ballkanit drejt suksesit në Ligën e Konferencës
Rrugëtimi i Ballkanit u zhvendos në Ligën e Konferencës duke i thënë lamtumirë Ligës së Kampionëve meqë nuk arriti të ruajë epërsinë prej dy golave nga ndeshja e parë kundër Ludogoretsit të Bullgarisë, duke humbur si mysafir 4:0.
Në kuadër të fazës kualifikuese për Ligën e Konferencës, Ballkani arriti të mposhtë 3 kundërshtarë të ndryshëm duke filluar nga Larne e Irlandës së Veriut, Lincoln Red Imps FC të Gjibraltarit dhe Bate Borisovin e Bjellorusisë.